Fjalë Kyçe

Vetëvendosje zyrtarizon futjen në garë në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, garon me tre kandidatë për deputetë

Vetëvendosje zyrtarizon futjen në garë në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, garon me tre kandidatë për deputetë

Këshilltari i Albin Kurtit dhe kandidati për deputet në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

Kandidatët do të jenë pjesë koalicionit VLEN.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Ne do të jemi pjesë e fitores që VLEN!

Në Njësinë Zgjedhore 1, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Nafie Selmani. Në Njësinë Zgjedhore 2, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Medine Ukshini. Ndërsa në Njësinë Zgjedhore 6, kandidat me numrin 2 në listë do të jem unë, Bekim Qoku”, shkruan Qoku në profilin e tij Facebook.

Ai shton se në Maqedoninë e Veriut Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë aktivistë dhe simpatizantë.

Në këtë mënyrë Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar përfshirjen në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, kishte thënë se partia e tij nuk është e regjistruar si subjekt politik në RMV.

Ai gjithashtu kishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja e Kurtit, mori pjesë edhe në zgjedhjet në Shqipëri, më 25 prill 2021, por pa arritur ndonjë rezultat për t’u theksuar.