Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot në Lipjan i janë bashkuar 30 anëtarë të rinj.
Anëtarët e rinj janë mirëpritur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Qendrës së Lipjanit, Avni Jashari.
“Thuajse në secilën ditë dhe nga një Qendër në Qendrën tjetër, anëtarësimet e reja dhe zgjerimi i Lëvizjes, janë përmasa e rritjes së Organizatës, por edhe dëshmi se fitorja e Lëvizjes është afër”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë takim kryetari Albin Kurti ndau me të posa anëtarësuarit mendimet për situatën politike në vend, sikurse që u diskutua për rëndësinë e organizimit të Lëvizjes në Pika, Qendër e në baza shoqërore e profesionale dhe angazhimin e secilit aktivist.
“Në një bashkëbisedim të afërt, plotë entuziazëm dhe shpresë se vetëm me Lëvizjen do të jetë i mundur ndryshimi, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e shtetësisë dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror”, vazhdon njoftimi.
Ndërkaq kryetari i Qendrës së Lipjanit, Avni Jashari ka njoftuar anëtarët e rinj për angazhimet e fundit të Qendrës dhe hapësirën që ekziston për t’u përfshirë në strukturat organizative.