Trajneri në detyrë te Trepça ’89, Veton Çitaku ka deklaruar pas ndeshjes së barazhit ndaj Vëllazmit (fitore 4-2) se ekipi tij e ka merituar të jetë pjesë e Superligës edhe për një vit të rradhës, teksa ka potencuar faktin se “minatorët” janë gjendur rastësisht në zonën e barazhit.
Çitaku analizoi ndeshjen e së shtunës përballë gjakovarëve, teksa ‘thumboi’ në mënyrë indirekte kuqezinjtë për ankesat e tyre në ndarjen e drejtësisë.
“Ja dolëm edhe pse ishte shumë shumë e vështirë, sidomos pas humbjes në finalen e Kupës ndaj Feronikelit. Ishte e vështirë për ti motivuar futbollistët, pasi që ishim në presion të kohës për të mbetur pjesë e Superligës. Në pjesën e parë ishim në një ‘knock down’ të vërtetë sikurse në box. Fati ynë që pjesa e parë u mbyll me vetëm 1-2 dhe më pas kishim kohë për tu rikuperuar në pjesën e dytë”, deklaroi pas ndeshjes Çitaku për mikrofonin e Super Sport Kosovës.
“Golat ishin të rregullt, si në anën tonë, po ashtu edhe në anën e Vëllaznimit. E kemi ditur se skuadra gjakovare do të lodhet në pjesën e dytë edhe pse ne e kemi patur orarin shumë më të ngjeshur”, shtoi ndër të tjerash Çitaku.
Ai po ashtu ka folur për edicionin e ri futbollistik, teksa ka thënë se “minatorët” do të ndërmarrin masa që të mos ndodhen në një tjetër situatë të tillë.
“Trepça ’89 ishte aksidentalisht në ndeshjen e barazhit, tani duhet të ndryshojmë gjithçka që të mos përsëritet kjo situatë”, mbylli tekniku mitrovicas.
Për Trepçën ’89 edicioni ri futbollistik do të jetë i 20-ti në historinë e futbollit kosovar pasluftës.