Publicisti Veton Surroi, po qëndron në Kroaci, ndërsa është pritur atje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane në Zagreb, nga ministri Gordan Grliq.
Siç shihet në fotografitë e publikuara, Veton Surroi qe i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit vazhdon të jetë i njohur për skandalin e dyshuar për përfshirje në shpëlarjeje parash të derdhura nga GEN-I serb në xhirollogarinë e biznesit të tij në Mal të Zi.
Një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, i publikuar në maj të këtij viti, dokumentoi se afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020. Derisa mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, tashmë dihet se kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin.
Nga ana tjetër, sipas kumtesës për Surroin, në kuadër të qëndrimit të tij në Kroaci, bëhet e ditur ai ka nisur fushatën e tij për kandidaturën në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
”Sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë në Zagreb, ministri Gordan Grliq Radman me këshilltarë e priti z. Veton Surroin dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci Dr. Martin Berishaj, lidhur me kandidaturën e z. Veton Surroi për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në RCC .
Ministri Grliq Radman shprehu konsideratat e larta për Qeverinë dhe shtetin e Kosovës në rrugëtimin europian dhe auroatlantik, duke u fokusuar në sukseset që Qeveria e Kosovës ka arritur në luftën kundër korrupsionit, vendosjen e ligjit dhe përkushtimin për dialog me Serbinë, që ka qellim njohjen reciproke në mes dy shteteve.
Veton Surroi shpaloi idenë e tij lidhur me kandidaturen për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në RCC, si dhe per interesin e madh të Kosovës për të qënë faktor konstruktiv në këtë organizatë, për të cilën, ministri Grliq Radman shprehu mbështetjen në parim.
Në takim, i cili ishte tejet miqësor, pala kroate shprehu interesim për idetë e z. Veton Surroi, duke u pajtuar me qasjen që ai e eksplikoi karshi proceseve politike në rajon dhe më gjërë”.