Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 personash.
Dy protagonistët në këtë video, flasin për shuma të mëdha parash që biznesmeni Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat.
Teksa flasin për Rrahim Hashimin, si personi që do t’i ndihmonte Dalladakut për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, për këtë, përmend edhe emrin e Kadri Veselit.
Personi tjetër në këtë video është Kadri Rexhepi, që duket se luan rolin e ndërmjetësuesit mes Rrahim Hashimit e Faton Dalladakut.
Faton Dalladaku: A ka shans që i kanë marrë këta paret pa dijen e Kadrisë?
Kadri Rexhepi: Ja, hiç kurrë. Jo, jo, vetë i kam çu unë ato.
Fatoni Dalladaku: Ti i ke çu?
Kadri Rexhepi: Unë vetë i kam çu.
Fatoni Dalladaku: Faktikisht, po më garanton që i ka marrë prej tij.
Kadri Rexhepi: 200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli.
Fatoni Dalladaku : E, 50-mijëshen?
Kadri Rexhepi: 50 mijë i ka marrë qeky … (Nuk kuptohet emri).
Në këtë bisedë, biznesmeni Faton Dalladaku i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu dha, ashtu siç iu premtua.
Dalladaku: Nëse ka respekt ndaj Kadri Veselit, ndaj meje, ndaj teje, nuk dëgjohet …. ai (Rrahim Hashimi) është dashtë me i lanë krejt punët, sikur unë siç i kam lanë për me e kry’ qit punë, jo me ba biznes, me ble prona në Shqipni, ku i ka marrë ai këto pare, qito paret e mia janë.
Kadri Rexhepi: S’di gja unë. Aty, hiç kurrë mos më vet, kurrë mos më vet për asnjë gja, se tybe nuk di, kurrë, kurrë, kurrë, tybe në dijsha, unë po them a din pse Zoti më ka provu’ me këto gjana, që le se s’ia kam ba, por s’ia kam menue…
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se ata që ia përmendën emrin do ta paguajnë me burg.
Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, gjatë së mërkurës, nuk kanë dashur të komentojnë nëse Veseli e ka paraqitur këtë rast në polici apo prokurori, duke thënë se për këtë çështje ka folur në KTV.
Por, Koha Ditore merr vesh se Veseli nuk është marrë asnjëherë në pyetje në asnjë cilësi, përkundër faktit që videot, organet e drejtësisë i kanë në duar që nga viti 2013.
Ndërkaq, personazhi në këtë video, Kadri Rexhepi, ka mohuar se ka kërkuar para në emër të Kadri Veselit, duke e akuzuar për këtë Rrahim Hashimin.
Kadri Rexhepi ka thënë se është viktimë në këtë rast.
KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Rahim Hashimi dhe avokati i tij, por ata nuk janë përgjigjur në thirrjet e televizionit.
Të hënën, policia ka arrestuar 5 persona: Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.
Protagonisti kryesor, Rrahim Hashimi, që shihet duke numëruar para në këtë video të siguruar nga Koha, është parë shumë aktiv nëpër rrjetet sociale, duke postuar fotografi, kryesisht me zyrtarë të PDK-së.