Fjalë Kyçe

Videoja e Xhakës duke e ndalur topin me shpinë kundër Norwichit të Rashicës bëhet virale

Videoja e Xhakës duke e ndalur topin me shpinë kundër Norwichit të Rashicës bëhet virale

Një video e Granit Xhakës duke e ndalur topin me shpinë gjatë fitores së Arsenalit kundër Norwich City të dielën në Premierligë, është bërë virale në rrjetet sociale.

Xhaka luajti 90 minuta të plotë në fitoren e Arsenalit 5:0 kundër Norwichit dhe vëmendjen kryesore e mori për një ndalje të topit tejet të pazakontë në Carrow Road, raporton Express.


Mesfushori shqiptar i Kombëtares së Zvicrës e pranoi një pasim të gjatë nga Bukayo Saka dhe në vend se ta ndalë më gjoks, ai e ktheu shpinën për ta ndalur atë, duke qenë i vetmuar krahun e majtë të mesfushës.

Disa përdorues të Twitterit madje e kanë quajtur Xhakën Ronaldinho për mënyrën se si e ndali topin ai.


Në përgjithësi, 29-vjeçari bëri një paraqitje shumë të mirë, përveç kartonit të verdhë herët në ndeshje.

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mungoi në këtë takim shkaku i lëndimit të gjurit.

Kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi titullar në Premierligë për Xhakën pas rikthimit nga lëndimi i gjurit dhe vetëm e nënta në përgjithësi këtë sezon në ligë.

Mesfushori nga Kosova ende nuk e ka gjetur rrjetën e portës këtë sezon, por ka kontribuar me një asist në ligë.

Ndërkohë, për triumfin e Arsenalit ndaj Norwich City në Carrow Road shënuan Bukayo Saka dy herë, ndërsa Kieran Tierney, Alexandre Lacazette dhe Smith Rowe nga një herë.

Arsenali renditet i katërti në tabelë me 35 pikë nga 19 ndeshje, i ndjekur nga Tottenhami me 29 pikë por tri ndeshje më pak të zhvilluara.