Katër deri në tetë , madje edhe deri në 12 orë intervistohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga Komisioni për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale.
E, kjo në mënyrë që të dëshmohet dhuna që është ushtruar ndaj tyre,vetëm për të fituar të drejtën për njohje dhe status si viktimë dhe në fund për të qenë përfituese e një pensioni prej 230 euro, shkruan Gazeta Alo.
Por, kjo nuk është gjëja e vetme që ju ndodhë këtyre viktimave. Nga to përpos intervistave të gjata që ndodhin me orë të tëra, u kërkohet edhe dëshmi me shkrim e po ashtu edhe fotografi të cilat dëshmojnë plagët e tyre.
Kështu, kanë deklaruar disa viktima të dhunës seksuale për Gazetën Alo, e të cilat kanë dashur të mbesin anonime.
Për të gjitha këto deklarata Gazeta Alo ka kërkuar përgjigje me ditë të tëra edhe nga Komisioni për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ndërsa, në Institucionin e Avokatit të Popullit, thonë se pavarësisht deklarimeve për të cilat Gazeta Alo ka dëshmi, nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga viktimat.
“Në Institucionin e Avokatit te Popullit, deri më tani, nuk është pranuar asnjë ankesë në lidhje me çështjet e pretenduara”, ka thënë zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Arjola Caka.
Mirëpo, kanë pranuar faktin që kanë pranuar ankesa nga viktimat për vendimet e Komisionit Verifikues.
“Sa i përket kategorisë së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kemi pranuar ankesa në lidhje me mungesën e arsyetimeve në vendimet e Komisionit Verifikues si dhe për mungesën e dyshkallshmërisë në procedurë të pavarur, e që të dyja përbëjnë një praktikë që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Administrative”, ka thënë ajo.
Përgjigje për këtë është kërkuar edhe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës(QKRMT).
Mirëpo, përgjigja e tyre e vetme ishte që nuk kanë rol në këtë proces.
“Ju ftojmë se në pyetjet e juaja ne nuk mund të përgjigjemi, pasi që ne kemi tjetër rol në këtë proces, kështu që nuk jemi kompetent të ju përgjigjemi pyetjeve të dërguara sipas konstatimeve që ju keni nxjerrë”, thuhet në përgjigjen e QKRMT-së.
Mirëpo, se si ndikojnë këto intervista të gjata, kërkimi i fotografive e gjëra të tjera në mënyrë psikologjike e shpjegon për Gazetën Alo, Etleva Durmishi psikologe.
Sipas saj, të gjitha këto kërkesa kanë edhe anët negative por edhe pozitive, duke shtuar se koha e zgjatur është e lodhshme.
“Koha e zgjatur sigurisht se është e lodhshme gjatë trajtimit të çdo çështjeje dhe përgjatë çdo procedure intervistimi. Por në këtë rast, dhe shikuar në aspekt të përgjithshëm psikologjik, më tepër sesa kohëzgjatja e një bisede, fuqi përcaktuese ka intensiteti emocional që shpërfaqet tek viktimat e intervistuara”, ka thënë ajo për Gazetën Alo.
Thotë se kujtimet e së kaluarës mund të shfaqen në intensitet të lartë, gjë që është negative.
“Kujtimi dhe emocioni i absorbuar tek njerëzit mund të shfaqet në intensitet të lartë, edhe pa një shkak të qartë momental apo kohë e pa kohë, e kjo jo vetëm gjatë një intervistimi. Është një proces që kërkon qartësim dhe procesim të vazhdueshëm, dhe në këtë rast, përballja e menjëhershme me kujtimin dhe emocionin mund të krijojë ndjesinë e një sfide apo rëndese të theksuar”, ka pohuar Durmishi.
Mirëpo, deklaron se pavarësisht kësaj çdo lloj bisede mbi çështjet që konsiderohen sensitive, është një mundësi e mirë dhe shumë e rëndësishme në përjetimin e plotë të kujtesës, një hap drejt krijimit të një qasjeje të re dhe riaktualizimit të fuqisë individuale, por edhe proces i njëkohshëm me krijimin e tipareve të reja psikologjike.
Kurse, sa i përket procedurës së intervistimit thotë se është intervistuesja ajo që e përcakton rrjedhën e bisedës e kohëzgjatjen varësisht nga mënyra se si ndihet.
Në fillim të muajit shkurt të këtij viti ka nisur procesi i aplikimit për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Deri më tani janë dorëzuar mbi 800 aplikacione nga viktimat e dhunës seksuale për të fituar statusin e viktimës./Gazeta Alo/