“Ne kemi mundur një nga skuadrat më të mira në botë”, tha kapiteni Dani Parejo pasi Villarreali siguroi fitoren 1:0 ndaj Bayernit në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, javën e kaluar.
Por ai e di se fitorja mund të mos mjaftojë. Villarreali shijoi një nga netët më të bukura në historinë e klubit me një paraqitje të shkëlqyer në stadiumin “La Ceramica”, kur gjunjëzoi kampionin e gjashtëfishtë të Evropës. Skuadra e trajnerit Unai Emery do të futet në ndeshjen e kthimit me epërsi prej vetëm një goli, ndonëse te Villarreali pranojnë se kanë mundur të fitojnë më thellë.
Ndeshja Bayern – Villarreal luhet të martën nga ora 21:00.
“Ne bëmë një paraqitje të jashtëzakonshme dhe nëse jemi të sinqertë duhet të kishim fituar më thellë”, tha mesfushori Giovani Lo Celso.
Një gol disavantazh nuk është i pakapërcyeshëm për një ekip si Bayerni, që ka shënuar 17 gola në pesë ndeshjet e fundit në shtëpi dhe 20 në katër ndeshjet e fundit evropiane në “Allianz Arena”. Villarreali e ka bërë zakon të neutralizojë kundërshtarët e mëdhenj, ndonëse pozita e shtatë në La Liga sugjeron se mund të luftojë vetëm ndaj kundërshtarëve modestë.
Ndërsa analizat e Emeryt dhe seancat me video të thelluara mjaftojnë për të mposhtur skuadrat e kufizuara, kjo do të thotë se ekipi i tij është taktikisht i zgjuar dhe i vështirë për t’u thyer. Në vitet e fundit, Villarreali ka mposhtur kampionin e Ligës së Evropës, fituesin e Kupës së Italisë, kampionin e Bundesligës dhe fituesin e Kupës FA. Gjithashtu mundi Manchester Unitedin për të fituar Ligën e Evropës edicionin e kaluar. Në Spanjë është i pamposhtur këtë edicion kundër kampionit në fuqi Atletico Madrid dhe liderit Real Madrid.
Pas fitores mahnitëse 3:0 në Torino, që eliminoi Juventusin në 1/8 e finales, Villarreali beson se mund ta përfundojë punën në Gjermani dhe të arrijë për herë të parë në gjysmëfinale të Championsit që nga viti 2006. Fitoi apo humbi në Muenchen, fitorja në ndeshjen e parë kundër Bayernit do të mbetet në librat e historisë së Villarrealit.
Ndërsa Bayerni po fitonte kupën e tretë rresht të Evropës në vitin 1976, Villarreali po luante në nivelin e katërt në Spanjë. Kur Bayern fitoi të pestën në vitin 2013, Villarreali sapo ishte promovuar në elitë. Popullsia e Villarealit, pak më tepër se 50,000 banorë, mund të futet brenda stadiumit të Bayernit dhe do të mbeteshin 25,000 vende të lira. Asnjë qytet më i vogël nuk ka dhënë ekip për të fituar një titull evropian. Për pjesën më të madhe të historisë, Villarreali qëndronte në divizionin e tretë derisa miliarderi spanjoll Fernando Roig mori drejtimin në vitin 1998.
Roig ka përmirësuar stadiumin, kompleksin stërvitor dhe ekipin. Villarreali nënshkroi me lojtarë të tillë si Riquelme, Diego Forlan, Marcos Senna dhe Santi Cazorla. Me stabilitetin e siguruar, Emery u punësua për ta çuar ekipin në nivelin tjetër, të sfidonte trofetë dhe katërshen më të mirë të La Ligës. Pyetja e vetme tani është nëse fitorja e rëndësishme ndaj Bayernit do të mbahet mend si kulmi i një ecurie të pabesueshme, apo bazë për diçka më shumë.
“E marta do të jetë sfida më e madhe e karrierës sime si trajner”, tha Emery. “Si për klubin gjithashtu, për lojtarët, për shumë njerëz këtu”.