Fjalë Kyçe

Virusi po përhapet edhe përmes ajrit, OBSH pritet të dalë me masa të reja

Virusi po përhapet edhe përmes ajrit, OBSH pritet të dalë me masa të reja

Shefi i emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka thënë se koronavirusi ka nisur të përhapet shpejt dhe ka theksuar se ka rritje të dukshme të numrit të rasteve ditore, duke paralajmëruar se një rritje e shifrave të vdekjeve mund të pasojë.

“Në prill dhe maj, po merreshim me 100 mijë raste në ditë. Sot, me 200 mijë në ditë”, ka thënë Michael Ryan në një konferencë të martën.

Ryan ka thënë se numri i vdekjeve aktualisht duket stabil, por ka paralajmëruar se nganjëherë mund të ketë vonesa mes rritjes së rasteve të reja dhe kohës kur raportohen vdekjet, për shkak të kohës që i duhet koronavirusit për të vepruar te pacientët.

Sipas Ryanit, rritja e shifrave të rasteve të reja nuk ishte për shkak të shtimit të testimit nëpër gjithë botën.

Pjesëtarët e Komitetit Teknik të OBSH-së kanë thënë se janë duke punuar në një raport të shkurtër shkencor se si koronavirusi mund të shpërndahet përmes ajrit. Ky njoftim vjen pas letrës së më shumë se 200 shkencëtarëve që kanë kërkuar nga OBSH-ja dhe të tjerët të pranojnë se virusi mund të shpërndahet përmes ajrit. Kjo do të paraqiste ndryshim në disa prej masave të ndërmarra deri tash për të parandaluar pandeminë.

Deri tash në gjithë botën janë infektuar më shumë se 11.6 milionë njerëz, ndërsa janë regjistruar 538 mijë vdekje.