Si e feston Europa, Vitin e Ri? Nga pureja e patateve, te shegët apo ëmbëlsira tradicionale e Qipros, mesnata ka të përbashkëta të mëdha, por edhe shumë të veçanta në vende të ndryshme të kontinentit të vjetër.
Vasilopita e Greqisë ka një monedhë brenda dhe, kush e gjen, supozohet që do të ketë fat gjatë vitit në vazhdim! Ai ama duhet ta mbajë në portofol, që t’i qëndrojë i mbushur me parà.
Shega konsiderohet gjithashtu simbol i lashtë i mbarësisë. Hungaria nuk e mendon dot ndërrimin e viteve pa pjatën që përfshin kekë të kripur, derr të pjekur, supë thjerrëzash dhe salçiçe.
Por nuk do të gjeni hungarez që ha mish pule në natën e Vitit të Ri, sepse mendohet që shpendët e largojnë fatin e mirë.
Në Itali, tryeza duhet të ketë patjetër thjerrëza dhe “cotechino” (sallam me mish derri). Dy gjëra janë të rëndësishme për Vitin e Ri në Gjermani: shkrirja e plumbit dhe fishekzjarret.
Në Danimarkë ndiqet shumë fjalimi i përvitshëm i Mbretëreshës; në Bullgari gjejmë “Survakane”-n, një ritual i lashtë ende i preferuar atje, në të cilin mëngjesin e Vitit të Ri, fëmijët godasin lehtë në shpinë anëtarët e familjes me një shkop të zbukuruar, të njohur si “survaknitsa”.
Në Rusi, ndërrimi i viteve është një festë e kremtuar edhe më shumë sesa Krishtlindja. Përveç të tjerash, ajo është e shtrirë në 11 fasha kohore, ndaj teorikisht, nëse udhëton nga Kamçatka në Kaliningrad do të shohësh 11 festa fundviti!