Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se është duke e konsideruar dorëheqjen pas vdekjes së 26 vjeçarit.
Gjatë pasdites së të dielës një 26-vjeçar është hedhur nga një kat në Qendrën Studentore në Prishtinë, qendër kjo që është shndërruar në karantinë për personat që vijnë jashtë Kosovës.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i shprehur ngushëllime familjes së 26-vjeçarit, ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të zbardhin në detaje këtë rast.
Por, ai po ashtu ka paralajmëruar se është duke konsideruar dorëheqjen pas ngjarjes.
“Qysh në mbrëmë kam menduar si Arben Vitia kam menduar dorëheqjen dhe edhe një tani e mendoj një gjë të tillë. Por, si ministër kam obligime”, u shpreh Vitia.
“Dje kur po ndërtonim raportet me të dhënat pozitive që po vinin nga IKSHPK-ja u njoftuam nga kjo ngjarje tragjike. Ne si institucion nuk mund të paragjykojmë asnjë gjë rreth kësaj ngjarjes. Do të zbardhet në detaje çdo e dhënë në lidhje me këtë rast, nga angazhimi i MPJD-së, pritjes në aeroport, e qëndrimin në qendër. Pra prej ambasadës në Berlin e deri te stafi në Qendrën e Studentëve”, deklaroi Vitia.
Tutje ai shtoi edhe një herë se kjo është një ngjarje e rëndë dhe se nuk guxojnë të japin ndonjë mendim se si mund të ketë ndodhur rasti pa pasur fakte të mjaftueshme.