Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka thënë ish-ministrit Armend Zemaj se nuk e ka sulmuar kurrë për punën e tij kundër pandemisë, edhe kur nuk është pajtuar me të.
“Në asnjë moment nuk ju kam sulmuar”, tha Vitia në foltoren e Kuvendit.
“Edhe kur kam menduar që e keni gabim nuk ju kam sulmuar sepse kam menduar se mund të dërgojmë një mesazh dual te qytetarët që do t’i shtien qytetarët që të mos i respektojnë masat”.
“Ju jeni ai që keni sulmuar zotëri Zemaj. Shiheni veten në pasqyrë”.
Vitia tha se kurrë nuk do ta sulmonte Zemajn i cili paraprakisht pohoi se Vitia e kishte bërë një gjë të tillë.
“Edhe kurrë nuk do t’ju sulmoj. Sa herë të kemi nevoje do të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve”.
Vitia tha se kur e kanë marrë punën në këtë ministri nuk kanë gjetur asnjë dokument negocimi për sigurimin e vaksinave, përpos tre email-ave.
“Këto dokumente nuk i kam gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë; nuk e kam gjetur as marrëveshjen e konfidencialitetit të cilën ju e keni nënshkruar diku në dhjetor të vitit 2020”.
“Në këtë marrëveshje ju e dini shumë mirë se çka klasifikohet konfidenciale”.
“Nuk është ajo që e keni thënë në media”.
Vitia vijoi t’i thotë Zemajt se e ka respektuar nënshkrimin e Zemajt më shumë se Zemaj nënshkrimin e vet.
“Zotëri Zemaj, më vjen keq por unë e kam respektuar nënshkrimin e juaj më shumë se sa ju nënshkrimin e juaj”.
“Unë në asnjë moment nuk e kam folur asnjë fjalë për atë që ju e keni nënshkruar”.
“Kurse ju e keni marrë barrën mbi vete me nënshkrimin e asaj marrëveshjeje dhe duke e ditur se çfarë ka brenda dhe çfarë klasifikohej konfidenciale”.