Pasi që LDK-ja doli e para me votat nga diaspora në Dragash, ka reaguar dega e PDK-së në këtë komunë të cilët kanë deklaruar se këto vota janë të manipuluara.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, dega e PDK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet, teksa kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë informatat që i posedojnë.
Në reagimin e tyre, PDK-ja ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të KQZ-së dhe PZAP-së.
Reagimi i plotë nga Dega e PDK-së në Dragash.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë të Dragashit.
Nga ajo që sot pamë në QNR nga vëzhguesit tanë, shumica e votave me postë që kanë ardhur për Komunën e Dragashit, janë vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme. Po ashtu, shihet qartë që zarfet janë të shënuara nga e njëjta dorë.
Nga ajo që u pa nga vëzhguesit por edhe nga mediat, u vërtetua informacioni që ka qarkulluar tash e disa ditë në Dragash, që pronarët e një agjencie turistike kanë mbushur zarfet dhe i kanë shpërndarë ato në 4 posta të ndryshme në Austri e Gjermani.
Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të filloj hetimet sa më parë dhe ti jepet fund keqpërdorimeve me votat me postë.
Jemi të gatshëm ti ofrojmë Prokurorisë gjithë informatat që i posedojmë për këtë krim ndaj demokracisë.
Askush nuk mund ta deformoj vullnetin e mijëra votuesve të Dragashit.
Kërkojmë nga KQZ dhe PZAP që të reagoj menjëherë për këtë krim dhe këto zarfe të mbushura nga një dorë e vetme, mos të përfshihen në rezultatet zgjedhore.
Në të kundërtën, ne jemi të detyruar t’i ndjekim të gjitha instancat ligjore për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Dragashit nga keqbërës që me metoda kriminale mundohen ta deformojnë rezultatin.