Mungesa e legjitimitetit, mungesa e platformës, mungesa e transparencës dhe mungesa e mandatit për negociim nga Kuvendi për Qeverinë aktuale, janë katër mungesat që kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se duhet të plotësohen në mënyrë që Kosova të ketë sukses në dialogun me Serbinë.
Në bashkëbisedim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani ka thënë se në Kosovë duhet unitet për të kundërshtuar agjendat jotransparente e jolegjitime, “ashtu siç e kemi kundërshtuar agjendën e rrezikshme të ndryshimit të kufijve dhe atë të bosnjëzimit të Kosovës”.
“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm, ashtu siç është i domosdoshëm bashkëpunimi trans-atlantik për ta arritur marrëveshjen finale për njohje reciproke, në kufijtë aktual dhe me funksionalitet të plotë të brendshëm të Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook për takimin virtual me përfaqësuesit shqiptarë në SHBA.
Osmani tutje ka thënë se më 4 shtator, nëse në Uashington diskutohen tema ekonomike mes Kosovës e Serbisë, pala e Kosovës s’duhet të lejojë të pranojë të bëhen tema negociatash Ujmani dhe Trepça.
“Në anën tjetër, duhet të insistohet në reparacione për dëmet e mëdha ekonomike, të cilat Serbia ia ka shkaktuar Kosovës gjatë viteve te 90-ta si dhe në heqjen e plotë të barierave jotarifore, të cilat Serbia ua ka vënë mallrave nga Kosova”, ka shtuar ajo.
Osmani po ashtu ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mund të bëhet vetëm nëse marrëveshja arrihet “nga një qeveri me besim qytetar që ka legjitimitet burimor”.
“Nëse veprohet ndryshe, rezultati dihet: marrëveshje e paimplementueshme e polarizim i skajshëm që nuk është në interes të Kosovës”, ka thënë ajo.
Në këtë takim pjesëmarrës ka qenë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se është me rëndësi që për temat nacionale, si dialogu, “të jemi të gjithë bashkë dhe ta çojmë mesazhin se jemi gati për marrëveshjen përfundimtare, e cila në zemër ka njohjen reciproke”.
Limaj ka thënë se dëshmia më e mirë që e konfirmon interesin e SHBA-së për përmbylljen e dialogut është ftesa për 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
“Sa herë që Kosova ka qenë e koordinuar me miqtë tanë amerikan vendit nuk i kanë munguar asnjëherë rezultatet pozitive”, ka përfunduar ai.
Në fotografinë e Osmanit ku shihen bashkëbiseduesit shihet edhe presidenti Hashim Thaçi, që ende s’është prononcuar për bisedën me përfaqësues shqiptarë në SHBA.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 4 shtator në SHBA me ftesë të emisarit special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Pak ditë më pas do të ketë një takim në Bruksel.