Një nga pikat që LDK dhe Vetëvendosje kanë kundërshti është dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Vjosa Osmani pohoi në një intervistë në Opinion, se kjo tezë e hedhur nga Vetëvendosje nuk mund të plotësohet për disa arsye.
“Sot është vullnet i qartë i qytetarëve të Kosovës – për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ka bërë një referendum në 1992. Ka qenë vullnet i qartë i shprehur në datën 17 shkurt, i cili pastaj është vulosur me vendimin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe sot nëse i pyesim qytetarët e Kosovës unë jam e bindur që ata e besojnë në këtë”.
“Për momentin nuk e shikoj si një alternativë e cila mund të bëhet, për shumë arsye. E para, sepse dy shtete do jenë pjesë e BE-së. E dyta, për ne si LDK Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe e treta është se unë i shoh të dyja vendet si të suksesshme në komunitetin ndërkombëtar, në komunitetin e vendeve të lira. Nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”.
Sa i përket taksës 100 përqind të vendosur për mallrat serbe, Vjosa Osmani ndan mendimin e njëjtë me Albin Kurtin.
Osmani thotë se ajo do të zëvendësohet me reciprocitet – të njëjtën gjë e ka thënë dhe kreu i Vetëvendosjes.
“Parimore sot është të mbrohet Republika e Kosovës në kufijtë aktualë dhe të bëjmë çmos që ajo të jetë shtet i suksesshëm në aspektin sundimit të ligjit. Tarifa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Është masë që e njohin shtete në fushën e të drejtës ndërkombëtare tregtare. Serbia ta zëmë nuk njeh vulat doganore, nuk njeh certifikatat që lëshojnë institucionet tona. Masat e reciprocitetit nuk mund të merren me një vendim shkel e shko. Tarifa nuk do të ketë nevojë të mbahet nëse vendoset reciprociteti. Raportet tregtare me Serbinë mund të rregullohet vetëm përmes reciprocitetit”.
Sipas saj kjo taksë u vendos nga Ramush Haradinaj për të mbrojtur kufijtë dhe për të fshehur dështimet e qeverisë së tij.
_______
Vjosa Osmani: Koalicionin me Vetëvendosjen e vendosi populli i Kosovës
Vjosa Osmani, në një intervistë për emisionin Opinion në TV Klan tregoi se grupet punues të Vetëvendosjes dhe LDK-së duket se kanë normalizuar programet e dy partive politike që janë ideologjikisht të kundërta.
Sipas saj është populli i Kosovës, i cili kërkoi që opozita të qeveriste.
“Zëri i qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte për një ndryshim duke sjellur opozitën në pushtet. Vërtet kemi dallime por kemi vendosur ti tejkalojmë. Kur ka vendosmëri natyrisht që një gjë e tillë arrihet. Në radhë të parë vjen vullneti i qytetarëve për këtë ndryshim që vjen përmes bashkimit të opozitës së djeshme”.
“Të dy partitë duhet të ulen dhe të normalizojnë programin në radhë të parë. Ne tani po e dëshmojmë këtë, grupet tona që janë ulur të punojnë kanë harmonizuar gati 90 përqind të programeve tona. Përkundër faktit që jemi me ideologji të ndryshme, problemet e Kosovës janë të njëjtat. Kjo na ka sjellur një mundësi që të arrijmë një marrëveshje”.
Osmani gjithashtu tregoi pse nuk u bë koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen.
“Ne nuk e pamë të nevojshme për shumë arsye për shkak se koha ishte jashtëzakonisht e shkurtër nga momenti i nominimit tim. Po flasim për dy parti që ideologjikisht janë të ndryshme”.