Fjalë Kyçe

Vjosa Osmani në listë zgjedhor të VV-së, vijnë reagimet e para nga LDK

Vjosa Osmani në listë zgjedhor të VV-së, vijnë reagimet e para nga LDK

Gjatë ditës së sotme nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar se do të garojnë bashkë me Vjosa Osmanin në zgjedhjet e ardhshme.

Mirëpo nga LDK-ja kanë heshtur rreth kësaj deklarate.

Madje zyrtarë të saj nuk kanë pranuar as të deklarohen për garimin e Osmanit në një listë të përbashkët me LVV-në.

I kontaktuar nga gazeta, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes së Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se LDK-ja nuk ka asnjë koment lidhur me këtë deklaratë.

Sipas tij, kjo shkon vetëm në interes të tyre (Osmanit dhe Kurtit).

“Nuk kam koment për këtë punë. Është interes i tyre, le të bëjnë çka të duan në koalicione. Nuk është çështje imja”, ka thënë ai për “Zërin”.

Më 20 qershor të këtij viti Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë kanë votuar pro 70 anëtarë të Këshillit, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.