Fjalë Kyçe

Vjosa Osmani pranon telegrame të shumta urimi nga liderët kryesorë të botës

Vjosa Osmani pranon telegrame të shumta urimi nga liderët kryesorë të botës

U.d. presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.

Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.

Kurse presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.

Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.

Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.