Fjalë Kyçe

Vjosa Osmani sfidon Kryeministrin Hoti, thotë se nuk do të respektojë moratoriumin e shpallur në Uashington

Vjosa Osmani sfidon Kryeministrin Hoti, thotë se nuk do të respektojë moratoriumin e shpallur në Uashington

Deklarimi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, se institucioni që ajo udhëheq nuk do ta përfillë moratoriumin për aplikim në organizata ndërkombëtare po shihet si luftë politike mes saj dhe kryeministrit.

Megjithatë, vlerësohet se Osmani aplikimin në organizata ndërkombëtare nuk mund ta bëjë e vetme, pasi që, siç thotë Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, shumica e aplikacioneve kërkojnë të shkohet nëpërmjet Qeverisë ose të ketë një koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve kryesore në vend, raporton KOHA.

“Në aspektin juridik duhet thënë që është një pikë kundërkushetetuese në sensin që në nenin 17 të Kushtetutës por edhe në obligimet tjera ligjore ceket që Kosova duhet të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Të njëjtën e bën edhe Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ndërsa profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, vlerëson se përfshirja e kësaj pike në marrëveshjen Kosovë-Serbi e ka dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Qëndrimet e kryetares së Kuvendit mendoj që reflektojnë raportet politike tashmë të njohura brenda LDK-së që kanë rezultuar edhe me shkarkimin nga pozita e nënkryetares së LDK-së. Shpresoj që Qeveria jonë nuk do ta formalizojë ndalesën për aplikim në organizata ndërkombëtare ashtu si Beogradi që nuk është që i përmbahet në mënyrë strikte detyrimeve që ka marrë në Uashington me marrëveshjen e 4 shtatorit”.

Kuvendi i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se në cilat organizata synon të aplikojë së shpejti, ashtu siç ka paralajmëruar Osmani.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, ku ndër të tjerash, përmes një qarkoreje, MPJD-ja obligon të gjitha institucionet që t’i tërheqin aplikimet për një afat 1-vjeçar.