Njohësi i rrethanave në Kosovë e rajon, Azem Vllasi, ka folur lidhur me situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai ka thënë se shqiptarët atje nuk rrezikohen nga përndjekja siç ndodhi me shqiptarët në vitin 1999, porse në të drejtat e tyre duhet të kontribuoj Kosova.
Vllasi në Deskun e KTV-së ka thënë se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është dashur të futet në dialogun me Serbinë, dhe mosfutjen e saj deri tash në dialog, e ka quajtur gabim të palës kosovare.
“Serbisë nuk i pengojnë aq shqiptarët që janë në Luginën e Preshevës. Ata kanë probleme të mëdha me realizimin e të drejtave të veta dhe po zbrazet mjaft, por aq sa janë, Serbia nuk shkon deri në atë masë ta shtrijë zullumin sa t’i përndjekë siç deshën ne shqiptarëve të Kosovës në 99. Për shqiptarët e Luginës do t’ua lehtësonte situatën përkrahja e Kosovës në bazë të reciprocitetit, qysh po interesohet Serbia për pozitën e serbëve të Kosovës, aq edhe ne”, ka thënë ai.
“Po është dashtë të futet si temë në dialog, dhe në bazë të një parimi të reciprocitetit të qartë. Është gabimi i palës kosovare që këtë çështje nuk e ka shtruar në dialog”, ka shtuar Vllasi.
Avokati Vllasi derisa ka folur për dialogun dhe kompromisin me Serbinë, tha se Kosova në këtë proces është në pozicionin më të mirë duke shtuar se Kosova duhet ta pyes Vuçiqin se cilat janë kërkesat e tij dhe të shihet a ka hapësirë për kompromis.
“Jemi në dialog në pozicion më të mirë sepse miqtë tanë perëndimorë nuk po kërkojnë kompromis lidhur me statusin e Kosovës si shtet, nuk po kërkojnë ndryshim të kufijve, strukturës kushtetuese të Kosovës si shtet unitar, kudo që bëhet dialog shkon fjala edhe për kompromis. Pozicionimi i Kosovës do jetë jo të bisedojmë mes vete a ka apo jo kompromis, në tavolinë duhet që Vuçiqi të vihet mes fushës. Duhet to pyetet se çka po synon, çfarë kompromisi po do dhe ndoshta ka mundësi për kompromis”.