Fjalë Kyçe

Vodhën katër pula dhe një gjel në kotecin e të dëmtuarit, dënohen me nga katër muaj burgim me kusht

Vodhën katër pula dhe një gjel në kotecin e të dëmtuarit, dënohen me nga katër muaj burgim me kusht

Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar më nga katër muaj burgim dy të akuzuarit T.A. dhe K.I., të cilët nga Prokuroria Themelore në Gjilan akuzoheshin se kanë vjedhur katër pula dhe një gjel në kotecin e të dëmtuarit P.S., në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dënimi ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohet nëse ata në periudhën verifikuese prej një viti nuk kryejnë vepra të tjera penale.

Ky aktgjykim është shpallur më 19 janar të këtij viti nga gjykata në fjalë, pasi dy të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, ndërsa është përpiluar më 1 shkurt 2021.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit janë obliguar që të dëmtuarit t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar në shumë prej 100 euro.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 4 dhjetor ka raportuar edhe shpalljen e aktgjykimit ndaj dy të akuzuarve A.H. dhe Q. H., që lidhen me këtë rast, të cilët nga Gjykata e Gjilanit ishin dënuar me nga tre muaj burgim me kusht pasi kishin pranuar se kanë blerë katër pula dhe një gjel nga të pandehurit T.A. dhe K.I., për të cilat kanë mundur ta dijnë paraprakisht se janë të vjedhura.

Por që bazuar në arsyetimin e aktgjykimit në fjalë, në seancën fillestare të 19 janarit 2021, procedura penale ndaj të akuzuarve A.H. dhe Q.H., për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” ishte veçuar pasi nuk ishte arritur të sigurohej prezenca e tyre në procedurë penale, ndërsa gjykimi kishte vazhduar ndaj dy të tjerëve të akuzuar për vjedhje, T.A. dhe K.I.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj T.A. dhe K.I., me arsyetimin se në mars 2020, në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për tjetrin në kotecin e të dëmtuarit P.S. kanë vjedhur katër copë pula dhe një gjel e më pas janë larguar në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë rreth 100 euro.

Me këtë, T.A. dhe K.i., akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal, veprën kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.