Zv/ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka deklaruar se mungesa e shtrirjes së autoritetit të shtetit tonë në veri ka qenë “mekanizëm shantazhi”, i cili i është bërë vazhdimisht vendit tonë në raporte të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Vokrri te “Debat Plus” ka theksuar se në veriun e vendit përpos shtrirjes së autoritetit të shtetit qoftë në sensin “e thjeshtë” apo “të vazhdë”, është arritur bindja te qytetarët e veriut se i takojnë dhe janë pjesë e Kosovës.
“Shënojmë njëvjetorin e një procesi politik, i cili ka kulmuar me kuptimsimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës në territorin e vet. Mungesa e shtrirjes së autoritetit të shtetit në atë pjesë të vendit tonë ka qenë mekanizëm shantazhi, i cili i është bërë vazhdimisht vendit tonë qoftë në raporte të marrëdhënieve ndërkombëtare, qoftë edhe në dinamikat e brendshme politike. Me to janë larguar shumë hipoteka, është vendosur jo vetëm autoriteti shtetëror në sensin e thjeshtë ose të vrazhdë, por është arritur një sukses në bindjen e qytetarëve të atjeshëm se i takojnë këtij vendi”, deklaroi Vokrri.
Vokrri potencoi se qytetarët serbë e kanë kuptuar se është diçka që iu konvenon atyre të inkuadrohen në institucionet e Kosovës.
“Jemi në një gjendje të re dhe nuk kontestohet autoriteti i shtetit të Kosovës në territorin e vet, ku qytetarët serbë të veriut e kanë kuptuar se nuk është vetëm domosdoshmëri, por është diçka që iu konvenon atyre të inkuadrohen në jetën institucionale të vendit”, shtoi ai.