Kuvendi i Kosovës miratoi të hënën në parim Projektligjin për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore.
Për projektligjin votuan 67 deputetë, ndërsa një abstenoi.
Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk votoi. Deputeti i saj, Hekuran Murati, tha se “nuk mund të lejojë që në emër të një ndihme për qytetarët, të keqpërdoren miliona euro nga kjo qeveri”.
Pasi që projektligji në fjalë të miratohet në lexim të dytë, qeverisë do t’i mundësohet zbatimi i Pakos Emergjente Fiskale për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Në Pakon Emergjente Fiskale – e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh – ndër të tjera është paraparë që të paguhen punëtorët që nuk kanë punuar nga muaji mars, kur edhe janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë.
Deri më tani, pagesa është bërë vetëm për muajin mars.
Për të realizuar pagesën për prill dhe maj duhet miratimi i projektligjit për rishikimin e buxhetit.