Të martën është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë, shkruan Express
Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.
“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.
Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.
Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.
Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.