Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të premten ka konstatuar se ka pasur lëshim në raportin 24-orësh të Policisë që nuk ka dëmtuar hetimet për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
Rasti i 18-vjeçarit nga Podujeva në raportin 24-orësh më 15 janar ishte raportuar si “therje me thikë”. I riu vdiq gjashtë ditë pasi u rrah nga dy të mitur, të cilët janë arrestuar. Raportimi fillestar se pati “therje me thikë” shkaktoi konfuzion në opinion, për çka edhe IPK-ja nisi hetimet. Vepra më pas u rikualifikua si “vrasje e rëndë”.
IPK-ja ka thënë se raporti i shpejtë që u raportua si “therje me thikë” u iniciua nga policët që ishin në vendngjarje dhe të cilët kanë parë një thikë në tokë.
“IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejtë të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e IPK-së
“Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar”, vijon tutje komunikata e tyre.
I njëjti raport, sipas IPK-së, është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024).
“Përkundër ndryshimit të këtij raporti i cili ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të të gjithë dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, IPK vlerëson se ky lëshim nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie)”, ka thënë IPK-ja.
Megjithatë, “duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24-orësh”, IPK-ja ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës, i cili do të procedohet në drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës.
“Krahas kësaj, IPK do të inicioj një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës. Realizimi i këtij inspektimi bëhet me qëllim për të nxjerrë në pah dobësitë eventuale të raportimit dhe komunikimit dhe për të dhënë rekomandime drejt përmirësimit së performances policore në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e IPK-së.