Policia në vendin e ngjarjes ka shkuar pak pas orës 23:00 të mbrëmjes. Aty është gjetur viktima A.V., e cila është gruaja e të dyshuarit për vrasjen. Nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar 15 gëzhoja të plumbave me të cilat dyshohet të jetë kryer ngjarja e rëndë.
Për Gazetën Express, detaje rreth kësaj ngjarjeje të rëndë ka dhënë edhe prokurorja që po merret me rastin.
Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për Gazetën Express detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.
“Vetë i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë, ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.
Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.
“Trupi i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është në ndalim për 48 orë dhe do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij”, ka thënë prokurorja.
Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.
E sipas policisë, me vendim të prokurorit, është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm, si dhe 42 fishekë të kësaj arme. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshuari ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë.
Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orësh personi i dyshimtë B.V., i lindur në vitin 1958.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore.
Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.