Gjykata e Prizrenit do të shpallë të martën aktgjykimin në rastin e Eshref dhe Ejup Shemollarit, babë e bir, të akuzuar për vrasjen e trefishtë që 4 vjet më parë tronditi Prizrenin.
Shemollarët po rigjykohen lidhur me vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaçit dhe Belgin Ersoyt, e cila ka ndodhur më 8 mars 2015.
Në seancën e fundit, e mbajtur të premten, është dhenë fjala përfundimtare nga prokurori Genc Nixha, avokatët Mahmut Halimi e Betim Shala, si dhe të dëmtuarit, Zyrafete Delia, Masar Ersoy dhe Ardiana Thaqi.
Këta të fundit kishin vërejtje për mënyrën se si u zhvillua gjykimi, e sidomos shfaqën vërejtje e tyre për vendimin e parë të gjykatës për dënimin e të akuzuarve.
Eshref Shemollari po akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, më 8 mars 2015, në Prizren, në lagjen afër Spitalit, Eshref Shemollari me dashje ka privuar nga jeta 3 viktimat Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoyn, që të tre nga Prizreni.
Ndërsa Ejup Shemollari, i biri i tij, akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë, kjo pasi sipas aktakuzës i njëjti i ka ndihmuar kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, babait të tij, Shemollari, që pas kryerjes së veprës penale të largohej nga vendi i ngjarjes.
Më 2.10.2017 Gjykata Themelore në Prizren kishte shqiptuar dënimet ndaj dy të akuzuarve Eshref e Ejup Shemollari.
Në atë vendim, trupi gjykues kishte vendosur që i akuzuari kryesor Eshref Shemallari të dënohet me 24 vjet burg në akuzat për vrasje të rëndë ndërsa djali i tij Ejupi, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg në akuzën për ndihmë të dhënë kryesit pas kryerjes së veprës penale.