Fjalë Kyçe

Vrasjet e Buchas tronditin udhëheqësit dhe ndezin thirrjet për sanksione të mëtejshme

Vrasjet e Buchas tronditin udhëheqësit dhe ndezin thirrjet për sanksione të mëtejshme

Ka pasur thirrje për sanksione të reja, më të ashpra ndaj Rusisë lidhur me vrasjet e një numri të madh civilësh në qytetin Bucha, afër Kievit.

Ukraina ka akuzuar trupat ruse për një “masakër të qëllimshme” pasi trupat e të paktën 20 civilëve u gjetën në rrugët e qytetit.

Qindra kufoma thuhet se janë gjetur në qytete jashtë Kievit pas tërheqjes së trupave ruse nga zona, sipas zyrtarëve ukrainas, mirëpo Rusia mohon çdo vrasje, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për sanksione të mëtejshme që synojnë eksportet e qymyrit dhe naftës së Rusisë duke u thënë mediave franceze se kishte “indikacione të qarta për krime lufte”.

Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se Bashkimi Evropian tani duhet të diskutojë ndalimin e importit të gazit rus, diçka që liderët kanë hezituar ta bëjnë deri më tani, pavarësisht nga nxitja e Ukrainës për shkak të efektit që do të kishte tek konsumatorët evropianë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson dënoi ato që ai i quajti “sulme të neveritshme”. Raportet sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar mund të shpallë sanksione të reja këtë javë.

Ndërkohë presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se sanksionet dhe mbështetja e mëtejshme e BE-së ishin në rrugën e duhur.