Fjalë Kyçe

Vuçiç njofton për ndërtimin e një Universiteti të ri në Mitrovicë, shkollë bujqësore, konvikte dhe çerdhe

Vuçiç njofton për ndërtimin e një Universiteti të ri në Mitrovicë, shkollë bujqësore, konvikte dhe çerdhe

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një prezantim të gjatë të planit të tij për qeverisjen e ardhshme në Serbi, ka folur edhe për Kosovën.

Ai ka njoftuar se Serbia tashmë ka gati shtatë milionë euro për ndërtimin e një Universiteti të ri në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës.

“Është universitet i ri në Mitrovicë, por jo vetëm kaq, por edhe pesë kopshte/çerdhe të reja, një konvikt studentor dhe një shkollë bujqësore”, deklaroi Vuçiç.

Ai nuk e ka bërë të qartë nëse këto institucione arsimore janë në kuadër të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe mundësisë së hapjes së tyre në Kosovë si agjenci private, ashtu siç e parasheh draft-statuti i propozuar nga Bashkimi Evropian, apo për vazhdimin e strukturave paralele në Kosovë.

Përtej këtyre, ai deklaroi edhe se do të ndërtojë shtëpi për secilin serb të Kosovës që aktualisht nuk e ka një të tillë, derisa tha edhe se “ata që nuk kanë punë, që nuk marrin dot subvencione private në bujqësi, apo diku tjetër, le t’i sigurojmë të ardhura shtesë përmes përfitimeve sociale që të jetojë me dinjitet”.

Nga institucionet e Kosovës nuk është njoftuar nëse ka dakordim për ndërtimin e këtyre objekteve dhe as me çfarë statusi do të funksionojnë ato.

Aktualisht situata është e turbullt në dialog mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, pasi në njërën anë një numër marrëveshjes kanë filluar të zbatohen për herë të parë, sic është ajo e targave dhe për energjinë elektrike, derisa në anën tjetër ka njëfarë bllokimi në drejtime të tjera.

Për më tepër, në të dyja shtetet, liderët flasin për luftë potenciale dhe rrezik të eskalimit.

Por, nëse kthehet prapë vëmendje në Veri, atje gjithçka po shkon në rregull me mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat serbe dhe peticioni po mbahet ashtu siç e parasheh Udhëzimi Administrativ i përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.