Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka komentuar videon ku u panë anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd duke kënduar këngë ultra-nacionaliste, duke i thurur lavde gjenocidit në Srebrenicë, shkatërrimit të Vukovarit e duke bërë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve në Serbi.
Për ato pamje, Vuçiq ua ka lënë fajin mediave kroate, pasi sipas tij, ato “qëllimisht promovojnë histori negative nga Serbia dhe nuk u kushtojnë vëmendje sukseseve të Beogradit”.
“Nuk i pashë të gjitha detajet, aq sa lexova… Është detyra ime t’iu them boshnjakëve në Serbi se ky është vendi i tyre dhe po aq sa imi dhe sa i shumve prej nesh, se ata do të jenë absolutisht të sigurt dhe të mbrojtur. I takon policisë të ndërmarrë veprime të përgjegjshme”, tha ai.
Megjithatë, ai i bën përgjegjëse edhe mediat kroate, të cilat e publikuan lajmin. Bile, me pamje.
“Është më mirë të mos komentojmë për mediat kroate, sa i përket marrëdhënieve mes serbëve dhe boshnjakëve, duhet të kuptojmë se nuk mund të jetojmë dhe të mbijetojmë pa njëri-tjetrin dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë”, tha ai para gazetarëve, përcjell express.
“Urrejtja nga njëra anë provokon urrejtje edhe më të madhe nga ana tjetër. Unë u bëj thirrje njerëzve të kujdesen për fqinjët e tyre boshnjakë, ashtu siç i kërkoj boshnjakëve që të kujdesen për fqinjët e tyre serbë”, tha Vuçiq.
Një video që është realizuar në një restorant në Priboj të Serbisë gjatë festës së Vitit të Ri, shfaqi botëkuptimin e zyrtarëve serbë, që me heshtjen miratuese nga lart, nuk ngurrojnë ta shfaqin nacionalizmin e tyre të rrezikshëm.