Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e mohoi se ishte pajtuar me Marrëveshjen e Ohrit në të cilën një prej pikave është se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por theksoi se Prishtina nuk ka bërë asgjë në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
I pyetur nga N1 pse Serbia tani e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nëse është pajtuar me të duke pranuar Marrëveshjen e Ohrit, Vuçiq tha në konferencën për shtyp se një pjesë të marrëveshjes nuk do ta zbatojnë.
“Për atë nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit kam folur në Kuvend. Në fjalimin tim të parë pas Ohrit kam thënë që në parim e pranojmë, por për disa gjëra nuk do ta nënshkruaj”, tha ai.
Para së gjithash, për shkak të anëtarësimit Kosovës në Kombet e Bashkuara, tha ai, transmeton Telegrafi.
Ai thotë gjithashtu se vendet e QUINT-it i kanë kërkuar që të insistojë më shumë në krijimin e Asociacionit.
“Më thanë – insisto, është argument serioz. Kot mund të insistojë, kur ata kanë qëllime gjeopolitike më të mëdha për të rrëzuar Serbinë. Vetëm kini këtë parasysh. Dhe pikërisht këtu është një problem shtesë se si do të duket Kapitulli 35-të, mund të themi vetëm se nuk jemi dakord me diçka dhe kaq”, deklaroi Vuçiq.
Ndryshe, Profesori nga SHBA, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja mund t’i ketë premtuar Beogradit, themelimin e Asociacionit, e cila ndërlidhet me votimin e 18 prillit e Asamblesë Parlamentare në të cilën Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
“Kam frikë se amerikanët i kanë premtuar Asociacionin, Beogradit dhe nuk duan të bien në ‘shpatat’ e tyre. SHBA nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, por ndikimi i saj do të jetë i fortë në disa prej shteteve evropiane, përfshirë Francën”, shkroi ai në platformën X.
Për kundërshtimet dhe deklarimet e presidentit serb, Serwer thotë se Vuçiq duke u paraqitur si viktimë, synon ta bindë perëndimin për çështjen e Asociacionit.