Fjalë Kyçe

Vuçiq: Zyrtari amerikan më konfirmoi se do të sanksionohet NIS-i

Vuçiq: Zyrtari amerikan më konfirmoi se do të sanksionohet NIS-i

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të shtunën se nënsekretari amerikan i Shtetit për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernandez, i ka konfirmuar që Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

“Ata do të vendosin sanksione, jo vetëm financiare, por sanksione të plota ndaj kompanisë NIS. Këto nuk do të jenë sanksione kundër kompanive që janë në pronësi ruse, apo që financohen nga bankat ruse, por do të jenë sanksione të drejtpërdrejta ndaj kompanisë tonë NIS”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.

Presidenti serb ka thënë se do të diskutojë me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, më vonë gjatë ditës.

Sipas Vuçiqit, Uashingtoni do t’i japë Serbisë afat prej 30 ditësh “të rishikojë situatën dhe të marrë veprime, dhe brenda 60 ditëve të përfundojë gjithçka”.

Ai i ka propozuar sërish Qeverisë serbe që t’i formojë dy ekipe, në koordinim me kryeministrin, për të biseduar me palën amerikane dhe atë ruse.

Vuciq ka përmendur se Serbia ka lidhje të mira me njerëzit në administratën e re të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, por edhe që synon të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në pjesën e dytë të janarit.

Vuçiq pati thënë edhe më 13 dhjetor se SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj NIS-it brenda ditësh, për shkak se kjo kompani, që dikur ka qenë shtetërore, tani është në duart ruse.

Dhjetë ditë më vonë, ambasadori amerikan në Beograd, Hill, pati thënë se “nuk ka informacion” që do të vendosen sanksione ndaj NIS-it.

Hill pati thënë për Radiotelevizionin publik të Serbisë (RTS) se “ekzistojnë shqetësime” nëse NIS-i në duart ruse është duke ndihmuar disi në financim të luftës së Moskës në Ukrainë, dhe që këto çështje duhet të analizohen me kujdes.

Prej viti 2008, NIS-i është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompanisë së saj amë, Gazprom.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia pati aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Gazprom, ndërkaq, nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e funrizimit – pas nisjes së luftës në Ukrainë – Serbia vazhdon të varet në masë të madhe nga burimet ruse të energjisë, dhe kjo varësi ka qenë një prej argumenteve kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, me gjithë insistimin e Perëndimit.