Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Kamenicë, ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me punën e kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati, i cili e fitoi komunën duke garuar si kandidat i VV-së, por që pas ndarjes që ndodhi në parti, Kastrati u rreshtua në PSD-në e tashmë Shpend Ahmetit.
Kjo parti thotë se si pasojë e mos-realizimit të programit me të cilin kryetari Kastrati e fitoi komunën, janë detyruar të dalin nga qeverisja në këtë komunë nga 1 prilli i këtij viti.
“Ne nuk mund të jemi pjesë e mashtrimit që i bëhet programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i besuan qytetarët e komunës sonë. Nuk mund të jemi pjesë e atyre që po e vrasin shpresën e qytetarëve që një ditë mund të bëhet mirë edhe në Dardanë. Ne nuk do t’i nënshtrohemi një koalicioni të gjerë PDK-AAK-AKR-Nisma-PSD e Lista Serbe, që është formuar kundër Lëvizjes dhe po bashkëveprojnë me shpresë që do ta dëmtojnë Lëvizjen. E për fat të keq po e pësojnë qytetarët e komunës tonë. Prandaj, Kryesia e Qendrës në Dardanë (Kamenicë), mbështetur dhe nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka marrë vendim që nga data 01.04.2018 të largohet nga qeverisja në Dardanë”, thuhet në një njoftim për media të kësaj partie.
Me këtë rast, VV ka kërkuar nga drejtorët e komunës që janë pjesë e Lëvizjes të largohen nga postet e tyre, “sepse nuk mund të bashkëpunojnë me dikë që ka mashtruar votuesin e vet, ia ka marrë votat një subjekti dhe e ka çuar mandatin te subjekti tjetër”.
VV thotë se duke e vazhduar qëndrimin në këtë qeverisje, “do të bëheshim pjesë e një keqqeverisjeje të vazhdueshme nga kryetari i Komunës dhe subjekti të cilin ai tashmë e përfaqëson. Qeverisja e Qëndronit ka bërë që të krijojë shumë zhgënjim tek qytetarët në Dardanë”.
Më tej, Vetëvendosje, qendra në Kamenicë, thotë t’i kenë bërë një analizë qeverisjes një vjeçare të Kastratit, e ku rezulton se “kemi një qeverisje të përcjellë nga një paaftësi menaxheriale, keqqeverisje e abuzim me buxhetin e Komunës, përfshirë këtu edhe mungesën e përkushtimit të kryetarit i cili shumtën e kohës nuk është në vendin e tij të punës, duke mos arritur ende as të kompletojë kabinetin e tij”.
“Kryetarit duket se i mungon edhe aftësia për ndërtimin e vizionit rreth nevojave të qytetarëve të Dardanës, e natyrisht edhe aftësia për ofrimin e zgjidhjeve për secilën prej tyre. Në Dardanë ende nuk ka filluar as edhe një përpjekje për zhvillim social e ekonomik, apo edhe për krijim të një ambientit të përshtatshëm për banim. Në vend të saj, të gjitha përpjekjet kanë shkuar drejt politizimit të skajshëm të administratës komunale, përfshirë këtu edhe sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Edhe ato projekte që përzgjidhen nisur nga kalkulimet politike, realizohen me cilësi shumë të dobët dhe pastaj përmes presioneve imponohet pranimi i punëve. Keqpërdorimet nuk përfundojnë as te ndarja e granteve komunale e madje as tek bursat për studentë”, thekson VV.