Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka reaguar pasi që qeveria Hoti në bordin e KEK-ut emëroi njeriun e afërt me LDK-në, Musa Misini, që në të kaluarën ishte kandidat i LDK-së për deputet.
Abrashi ka thënë se po vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se anëtarët e rinj janë militant aktiv të partive në pushtet.
“Vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, kesaj radhe ne KEK. Natyrisht, anetaret e rinj jane militante aktiv te partive te pushtetit. Deri me tani, asnje reagim, pa buje. Heshtje totale. Cdo gje i kthehet normalitetit te vjeter ku krimi dhe kapja jane dicka e zakonshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Lajmi.net raportoi më herët gjatë ditës se kryesuesi i ri i bordit të KEK-ut, Musa Misini, në zgjedhjet e vitit 2014 kishte qenë kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Misini në të kaluarën kishte qenë edhe kryetar i Vitisë.