Presidenti i Republikës Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë 48 orë kohë, liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe partisë së tij për të propozuar kandidatin për kryeministër të vendit.
Por, në lidhje me këtë afat ka folur njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, i cili i tha Telegrafit se në deklaratat e dy protagonistëve të takimit të sotëm ka diçka që nuk po përshtatet, pasi sipas tij, Albin Kurti nuk e ka shumicën në Kuvend dhe Vetëvendosje nuk mund ta propozoj kandidatin për kryeministër.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, paragrafi 1, thotë se pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, gjë që dihet se nuk e ka. Nuk e di për çfarë afati kohor e ka pasur fjalën, pasi pyetja e vërtetë e cila do të duhej të ishte nga presidenti është se a e ka shumicën parlamentare zotëri Kurti për ta propozuar kandidatin për Kryeministër, që deri më tani ne e kemi parë që nuk e ka, pasi nuk ka bërë koalicion as me LDK-në, por as me partitë serbe, prandaj nuk e ka shumicën në Parlament”, tha Baraliu.
Madje, Baraliu deklaratën e Albin Kurtit para medieve dhe postimin e Thaçit në Facebook i konsideroi si deklarata private.
“Asnjërën nga këto nuk mund t’i marrim si zyrtare, as presidenti që ka shkruar në rrjete sociale e as Kurti në deklaratën para medieve”, tha Baraliu.