Interi dhe Mauro Icardi akoma së bashku. Nuk ka ende një zyrtarizim për rinovimin, por gjithsesi duket se po bëhen hapa përpara.
Dihet prej kohësh që të dyja palët po diskutojnë për këtë çështje, por zërat konfirmohen dhe nga një status në rrjetin social Twitter i gruas dhe njëkohësisht agjentes së argjentinasit, Wanda Nara.
Ajo shkruajti në orët e para të së shtunës se po lexonte faqet e rinovimit të bashkshortit të saj.
Është akoma shpejt për të folur për shifra konkrete, që po analizohen nga vetë Wanda. Gjithsesi, me shumë mundësi paga e lojtarit do të rritet, nga 4.5 milionë eurot që përfiton aktualisht plus bonuset, si dhe një zgjatje e kontratës, e cila skadon në vitin 2021. Një tjetër problem është dhe klauzola. Në marrëveshjen e vjetër, ajo ishte 110 milionë euro, dhe vlente vetëm për skuadrat jashtë Italisë.
Tifozët e Interit presin dhe shpresojnë se sulmuesi i tyre do të qëndrojë në Milano, në mënyrë që të jetë ai udhëheqësi për tu rikthyer në ditët më të mira. Icardi luan tek Inter që nga viti 2013, dhe ka marrë shiritin e kapitenit në vitin 2015. Ai ka qenë padyshim futbollisti kryesor i zikaltërve vitet e fundit, duke u shpallur dhe lojtari më i mirë për sezonin 2017-2018 të Serisë A.