Fjalë Kyçe

Weber: Kërkesa për ndryshim të Kushtetutës është gafa më e madhe e Lajçakut

Weber: Kërkesa për ndryshim të Kushtetutës është gafa më e madhe e Lajçakut

Pakënaqësia e kosovarëve, që për fatin e tyre do të ndërmjetësojë një politikan që vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën të pavarur, u rrit edhe më shumë kur emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se duhet të ndryshohet Kushtetuta për të mundësuar terrenin e krijimit të një sistemi paralel që cenon shtetësinë e Kosovës.

Ndonëse nga BE u arsyetuan se Lajçak nuk e përjashtoi as ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë duke thënë se arritja e një marrëveshjeje ndërkombëtare e kërkon edhe këtë sakrificë, analisti gjerman po e konsideron gafën më të madhe të sllovakut që kur mori postin e Përfaqësuesit Special të BE-së.

Bodo Weber në një intervistë për portalin “Klan Kosova” ka thënë se kjo mund të jetë edhe një shenjë e fuqishme se ai nuk e njeh mirë problematikën e madhe që mund të sjellë një Asociacion i tillë i komunave me shumicë serbe.

“Deklarata e Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajçak, edhe nëse veç lë të kuptohet mundësinë për ndryshimin e Kushtetutës në kontekstin e krijimit të një Asociacioni të ardhshëm të Komunave me Shumicë Serbe, është gafa më e madhe e tij që kur mori postin. Kjo ose konfirmon paragjykimet etnike të tij se është pro-serb, ose tregon se ai nuk e kupton më të vërtetë çështjen e Asociacionit. Në çdo rast, ai i ka shkaktuar dëme të mëdha autoritetit të tij si Përfaqësues Special i BE-së duke filluar nga Kosova. Dikush mund të shohë që Lajçak nuk ka mbështetje politike nga vendet anëtare të BE-së për këtë deklaratë, kjo shihet përmes asaj që u tha nga zëdhënësi i Brukselit si një reagim ndaj kritikës së ashpër të Prishtinës”.

Weber thotë se krijimi i një mekanizmi të tillë ishte rezerva që ruanin të dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

“Ky është një opsion rezervë për Beogradin pasi ra tentativa e Vuçiqit dhe Thaçit për shkëmbim territoresh – në të cilën synohej imponimi i një ndarjeje false në bisedime – shkëmbim territoresh ose asociacion me kompetenca ekzekutive. Çështja e Asociacionit as nuk është zgjidhur qartë siç insiston kryeministri Hoti dhe as nuk ka ndonjë ndarje të tillë. Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 kanë lënë të hapura pyetjet kryesore dhe kjo ishte arsyeja kryesore që implementimi u bllokua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të 2015-ës”.

Gjermani dha edhe një ide se si mund të ndodhë një zgjidhje tjetër, as siç thotë Prishtina zyrtare, as siç thotë Beogradi zyrtar.

“Një zgjidhje, e cila mund të ndodhë vetëm në kornizën e një marrëveshje të plotë gjithëpërfshirëse nuk është as në pozicionin që po e mban Beogradi dhe as Prishtina, që do të thotë një OJQ me kompetenca ekzekutive siç është Asociacioni, por në një mënyrë të tretë.  Kjo mënyrë e tretë, në të cilën unë e kam përshkruar një zgjidhje këto vjetët e fundit, duhet të bazohet në frymën e Ahtisaarit duke kombinuar një vetëqeverisje me mbrojtjen e të drejtave kolektive në mënyrën që i shërben nevojave që duhet të adresojnë frikën e serbëve të Kosovës (kryesisht në veri) për t’u integruar në shtetin e Kosovës, në demokraci dhe sundim të ligjit”.

Përmes kritikës së ripërsëritur se shteti amerikan ka minuar përpjekjet e europianëve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Weber po e arsyeton mungesën e presionit dhe shtyrjes përpara më me forcë të këtij dialogu nga BE-ja.

“Është narrativa zyrtare e BE-së që nuk do të imponojë zgjidhje mes dy vendeve, por të gjitha palët e dinë shumë mirë se ky nuk është synimi i dialogut politik dhe negociatave për një marrëveshje përfundimtare. Këtu bëhet fjalë që Serbia duhet të bëhet reale duke pranuar faktin, që ata e dinë shumë mirë për një kohë të gjatë se e kanë humbur Kosovën, si një bazë për gjetjen e një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe për perspektivën e saj të anëtarësimit në BE. Për fat të keq, zyrtarët e BE-së, veçanërisht udhëheqësit e vendeve anëtare aktualisht janë të penguar për të lëvizur më me shumë presion në negociata për shkak të minimit të procesit të rivendosjes së negociatave nga performanca e njëanshme e administratës Trump që çoi në “marrëveshjen” e Shtëpisë së Bardhë të 4 Shtatorit. Kjo është arsyeja pse ne do të shohim fillimin e negociatave të vërteta vetëm pasi administrata e re e SHBA-së të vijë në zyrë”.

Për gjermanin edhe heshtja e SHBA-së ndaj asaj që po prodhohet nga dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE-ja lidhet me interesat e Administratës Trump, për të cilat thotë se përfunduan pas 4 shtatorit.

Për më tepër, çështja e Asociacionit 10 ditë para zgjedhjeve është e papërfillshme për SHBA-në, sipas Weberit. Ai shtoi se Kosova nuk do të sheh ndonjë angazhim më të madh të SHBA-së kur ky shtet kurrë nuk kishte ndonjë interes të mirëfilltë në çështjet politike të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

Derisa tha se Kosova dhe Serbia u keqpërdoren pa asnjë lidhje për politikat e jashtme dhe të sigurisë të Administratës Trump, Weber marrëveshjen e 4 shtatorit po e konsideron edhe si interesin parësor dhe personal të karrierës së emisarit Richard Grenell, njofton Klan Kosova.