Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton zhvilluan një video- bisedë me nxënësit e një shkollë fillore, prindërit e të cilëve po luftojnë në vijën e parë me pandeminë Covid-19.
Çifti mbretëror që ndodhen në shtëpinë e tyre në Norfolk biseduan me stafin e shkollës dhe nxënësit në Akademinë Fillore Casterton në Burnley, në veri-perëndim të vendit. Duka dhe Dukesha e Kembrixhit u surprizuan nga nxënësit, të cilët kishin vendosur në kokë veshët e lepurushit, në pritje të festës së Pashkëve.
Çifti falenderoi mësuesit për mbajtjen e shkollës të hapur, teksa prindërit e fëmijëve gjenden në detyrë.
“Nëse do ta dinim, do ta vendosnim edhe ne tonën,” bëri shaka William.
Dy fëmijë, Harris dhe Lloyd, treguan fotografi të vizatuara me dorë për nënat e tyre dhe thanë që ishin të lumtur që ishin në shkollë.
Vizita virtuale vjen teksa Britania po hyn në atë që shkencëtarët thonë se është faza më vdekjeprurëse e shpërthimit.