Fjalë Kyçe

Xavi sugjeron dy lojtarë të rinj: E kanë në gjak ADN e Barçës

Xavi sugjeron dy lojtarë të rinj: E kanë në gjak ADN e Barçës

Ish-kapiteni i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka dhënë një intervistë të gjatë sot për të përditshmen spanjolle, “Marca”.

Në të, si njëri nga mesfushorët më të mirë të historisë së futbollit, analizon aspekte të ndryshme të Barçës, si dhe jep miratimin e tij për dyshen holandeze De Ligt dhe De Jong, për t’i marrë në “Camp Nou”:

“Më pëlqejnë shumë këto dy lojtarë. Ata janë shumë të mirë për Barçën. Nuk e humbasin topin, luajnë mirë, tashmë e kanë në gjak ADN-në e Barçës. Kjo vjen nga fakti se Ajax ka qenë gjithmonë një shkollë e mirë për ne. Dhe ata janë të rinj”, tha ai.

I pyetur se çfarë mendon për ish-shokun e skuadrës, Leo Messi, mesfushori që po luan në Katar u përgjigj: “Çfarë tjetër të them për Leon? Është stratosferik, unë do t’ia jepja “Topin e Artë” çdo vit”. Më tej, referuar zërave se Barça po e ndryshon thelbin e lojës së saj, Xavi nënvizoi:

“Unë nuk mendoj kështu. Barça gjithmonë e dëshiron topin. Dhe bën presion lart. Thelbin e të luajturit nuk e humbi kurrë, as me Tata Martino, me të cilin nuk fituam asgjë. Pastaj, në futboll ka edhe nuanca. Luis Enrique, për shembull, pëlqente edhe tranzicionet e shpejta, për të cilat nuk kishim punuar me Guardiolën”.

“Trajneri Valverde është më praktik me modulin 4-4-2, prerefon vendosje më të rregullt pas presionit. Këto janë nuanca brenda thelbit të lojës karakteristike të Barcelonës. Arthur e ka përforcuar këtë. Ai nuk e humbet topin”.

Së fundi, ish-kapiteni i Barçës u pyet për Champions-it e Real Madridit dhe epokën e Messit, raporton telesporti.

“Epoka e Messit nuk mbaron. Nëse e sheh të plotë, ai është spektakolar. Pa atë, ne kishim një Champions; me të kemi tashmë pesë të tillë.  Epoka e Messit nuk ka qenë e keqe, por Real Madridi ka vazhduar me historinë e vet në Champions. Real Madridi, para Cristiano Ronaldos, i kishte nëntë Champions. Messi ka ndryshuar historinë e tij dhe të Barcelonës. Të dy kanë monopolizuar futbollin në 15 vitet e fundit”, theksoi Xavi.