Fjalë Kyçe

Xhafer Gashi s’mund t’i mbajë lotët kur flet për rënien e Agim Ramadanit

Xhafer Gashi s’mund t’i mbajë lotët kur flet për rënien e Agim Ramadanit

Xhafer Gashi, kryetar i Obiliqit dhe bashkëluftëtar i Agim Ramadanit, është përlotur në emision derisa ka folur për rënien heroike të komandantit të Brigadës 138 në Koshare.

“Ka qenë, të them të drejtën, mos ta japim si lajm vrasjen e Agimit që mos të thyhet morali i ushtarëve, por ndodhi krejtësisht e kundërta. Ushtarët të gjithë kur e kuptuan rënien e Agimit dhe pastaj rënien e Salihut (Salih Çekajt) e dhanë besën që aty ku është derdhur gjaku i tyre…”, ka thënë mes lotësh Gashi.

Ai më pas ka kërkuar falje që nuk ka mundur të përmbahet. Këto deklarata Gashi i ka bërë në emisionin “Imazh” të RTK-së.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.