Fjalë Kyçe

Xhaka: Synojmë të fitojmë grupin kualifikues

Xhaka: Synojmë të fitojmë grupin kualifikues

Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll të hënën është mbledhur për herë të parë këtë vit. Për Zvicrën do të jetë një vit i ngarkuar, njëjtë si për shumë përfaqësuese evropiane. Menjëherë të enjten Zvicra luan në Sofje ndaj Bullgarisë në kualifikimet për Botërorin 2021. Më 28 mars e pret Lituaninë në St. Gallen, ndërsa më 31 mars luan miqësore me Finlandën. Në verë helvetikët do të paraqiten edhe në Evropian. Do të jenë në grup me Italinë, njëjtë si në kualifikimet për Botëror.

“Ne kemi kualitetin për të luftuar me Italinë për të fituar grupin kualifikues për Botëror. Ne nuk bën të nënvlerësojmë asnjërën ndeshje dhe duhet t’i përmbahemi planit. Qartë se Italia është favorite në letër, por ne nuk duhet të fshihemi, po ashtu”, ka thënë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, në një intervistë për “Blick”.

Xhaka pritet të udhëheqë mesfushën e Zvicrës në kualifikime, e po ashtu në Evropian. Ai ka kohë që është bartës i lojës së Zvicrës.

“Vitin e kaluar kemi luajtur një numër të ndeshjeve të mëdha, edhe ndaj rivalëve të mëdhenj. Në përgjithësi, rezultatet ishin në rregull, ndeshjet kryesisht ishin të mira. Keni mundur të vëreni se si ekip kemi bërë hap para. Tani kemi kundërshtarë që nuk duken shumë të vështirë në letër, por ju nuk mund ta nënvlerësoni askënd. Ne jemi të mirë kur luajmë me përkushtim. Kjo na ka shquar në vitet e kaluara”, ka shtuar Xhaka.

Zvicra në kualifikimet për Botëror i ka në grup Italinë, Irlandën e Veriut, Bullgarinë dhe Lituaninë.

Në Evropian është në grup me Uellsin, Italinë dhe Turqinë.

“Grupi në Evropian mund të jetë vërtet sfidues. Një Turqi shumë e mirë me një gjeneratë të re lojtarësh. Italia është gjithnjë e vështirë, ndërsa Uellsi është i mirë për befasi. Por, përfundimisht, është e mundur të jemi në dy vendet e para në grup”, ka theksuar 28-vjeçari.

“Çerekfinalja, përfundimisht, është synimi ynë. Në turnetë e fundit të mëdhenj vazhdimisht kemi zënë vend në 16 më të mirët. Për mendimin tim, kemi pasur fat të keq në atë fazë apo nuk jemi paraqitur si duhet në ndeshjet vendimtare. Kështu që synimi duhet të jetë të renditemi në tetë më të mirët”.

Xhaka ka kthyer stabilitetin tek Arsenali, por jo gjithnjë ka ndier përkrahjen. Ka pasur periudha shumë të vështira te klubi londinez, por nuk është dorëzuar dhe e ka kthyer karrierën në rrugën e duhur.

“Në futboll duhet të jetoni me kritikat, por po ashtu duhet të ketë limite. Ka edhe lojtarë tjerë që marrin karton të kuq dhe ata nuk kritikohen aq sa unë. Ndonjëherë kam ndjenjën se jam duke bërë qëllimisht diçka më të madhe se që është. Kjo nuk më ndal. Mund të përballem me këtë dhe këtë herë jam kthyer edhe më i fortë. Shumë nuk e kanë pritur këtë”, ka thënë Xhaka për kritikat që i kishte marrë më herët tek Arsenali.

Kosovari thekson se është kthyer me punë të madhe në stërvitje, përkrahjen e trajnerit dhe bashkëlojtarëve dhe me motivin për të bërë atë për të cilën gjendet tek Arsenali, të luajë, t’i përshpejtojë gjërat dhe të ketë kënaqësi.

“Këtë edicion me Arsenalin kemi pasur rënie e ngritje. Kemi startuar mirë, por më pas nuk realizuam në disa ndeshje. Tani gjërat janë shumë më mirë. Me fitoren ndaj Tottenhamit dhe avancimin në çerekfinale të Ligës së Evropës, kemi bërë gjëra të mira. Në ligë jemi kthyer në zonën që dërgon në Evropë dhe tani na duhet një seri për të arritur më lart. Do të ishte me shumë rëndësi që në Ligën e Evropës të arrijmë në finale”, ka theksuar Xhaka.