Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari” ka thënë se po vëren një ngathtësi në Qeverinë Kurti 2 sa i përket kryerjeve të punëve emergjente.
Ymeri në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nga vjeshta e vitit të kaluar se do të jetë fituese e zgjedhjeve, dhe në krejt këtë periudhë, sipas tij, nuk e kanë përgatitur veten të qeverisin.
“Për 30 ditë nuk kemi plan qeverisës, as nuk kemi plan emergjent. Kemi një parti që i ka fituar 50 për qind të zgjedhjeve, dhe e kanë ditë që do të jenë fitues që nga vjeshta e vitit të kaluar. Në krejt këtë periudhë nuk e kanë përgatitur veten se si do të qeverisin. Më aktive ka qenë Qeveria Kurti 1 sesa që është tash Kurti 2. Kjo ngathësi po vërehet në mungesë të planit dhe vizionit për të reaguar në një situatë si kjo”, u shpreh ai.
Ymeri thotë se krejt kjo po ndodh për shkak të mungesës së përvojës dhe përzirjes së ideologjive brenda partisë, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Mendoj që është mungesë e përvojës dhe kjo lëvizje e Vetëvendosjes prej një organizimi politik që dirigjon në një ideologji në një lëvizje karshi daljes prej asaj ideologjie dhe përzirjes së shumë njerëzve që kanë vlera e mendime të ndryshme politike, kanë shkaktuar një situatë që nuk ka më një teh goditës politik brenda Vetëvendosjes. Kur ke kaq shumë kundërthënie brenda grupit, dhe mundohesh për t’ia bërë qejfin të gjithëve, përfundon duke bërë asgjë. Nuk është ajo Lëvizje që ka pasur një plan dhe referencë. Kur e do pushtetin më shumë se idenë, përfundon duke e ruajtur pushtetin e duke hedh poshtë idenë“, deklaroi Ymeri.