Ish-deputeti Visar Ymeri ka thënë se ish-partia e tij Vetëvendosje ka evoluar pozitivisht në kuptimin e politikës institucionale.
Ai ka pasur kritika edhe për kohën sa ishte vet pjesë e Vetëvendosjes, sidomos për absolutizimin e pozicioneve.
“Edhe unë kam menduar se Lëvizja Vetëvendosje është shpëtimi i vetëm për Republikën e Kosovës. Poashtu kam menduar se kushdo që ka qeverisur pas luftës vetëm e ka dëmtuar Kosovën dhe nuk ka bërë asgjë të mirë për të”, shprehet Ymeri. “Nga një këndvështrim më ndryshe karshi politikës mendoj që ky lloj absolutizimi i pozicioneve politike është gjithnjë i gabueshëm sepse së pari në këtë pozicionin ekstrem absolut nuk mundesh të qëndrosh. Pra, mund të kesh një shtjellim konceptual teorik më të mirin, për sa i përket gjendjes aktuale në politikë dhe çfarë duhej të bëhej, mirëpo, pastaj politika e ka dimensionin edhe të real politikës”.
E real politika, sipas Ymerit, kogja shumë dallon prej konceptualizimit të saj.
“Duhet me pas zhdërvjelltësi se si konceptin tënd politik e shndërron në institucionale. Nëse kthehemi pak në kohë Vetëvendosja e sotme nuk është se është shumë më e ndryshme prej asaj të djeshmes, por megjithatë është më e ndryshme. Mendoj se ka një evoluim pozitiv të Vetëvendosjes tash në raport me Republikën e Kosovës, simbolet e kështu me radhë, gjë që është pozitive. Dhe fillimit të kuptimit të real politikës dhe politikës institucionale”, thotë Ymeri.
Megjithatë, ai thotë se tani armiqësia e saj me të tjerët është rritur.
“Ajo çfarë është ndryshe te Vetëvendosja për dallim prej kohës kur kam qenë unë, edhe nuk po e them për shkak se nuk jam më aty është që ky personalizimi dhe personifikimi i politikës është rritë shumë në dy aspekte, një – armiqësimi me të tjerët, ka qenë edhe atëherë por tash është në një masë shumë më të madhe dhe e dyta – përqendrimi te një person i Vetëvendosjes, në këtë rast te z. Kurti”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij diskursi aktual i Vetëvendosjes përmblidhet me vetëm një fjali, rreth figurës së kreut të saj, Albin Kurtit.
“Ka qenë edhe atëherë por tash është shumë më i madh. Nëse e sheh tash diskursin politik të Vetëvendosjes mund ta përmbledhës në një fjali ‘Albin Kurti është kryeministri më i mirë i Kosovës’ dhe i tërë programi dhe koncepti politik i Vetëvendosjes sot është reduktuar në këtë fjali. Unë mendoj se kjo fjali nuk mundet me e shpjeguar programin politik të Vetëvendosjes, madje madje kogja shumë bie në kundërshtim me idenë e Vetëvendosjes se një program politik nuk është zgjatim i liderit por është subjekt politik që prodhon liderë, diskurs e koncept politik”, është shprehur Ymeri.