Fjalë Kyçe

Zbulohen pagat mujore te Flamurtari!

Zbulohen pagat mujore te Flamurtari!

Flamurtari dhe Vlora ka qenë “toka e bekuar” për lojtarët në dekadën e fundit, paçka se shumë prej tyre u ka ardhur në majë të hundës me vonesat e shumta të pagave.

Mirëpo, herët a vonë, dikush me gjyq në FIFA apo FSHF, dhe dikush pa gjyq, kanë arritur të marrin atë që u ka takuar nga kontratat, të cilat kanë firmosur me Flamurtarin ndër vite. Klubi vlonjat, që nga koha kur financimi bëhej direkt nga Bashkia e Vlorës, pikërisht në kohën e ish-kryetarit Shpëtim Gjika, bënte diferencën në kampionatin shqiptar me pagesat e majme që ofronte për lojtarët.

Ka disa mënyra për të joshur futbollistët, por në Vlorë shkonin me “vrap”, pasi u premtohej një shumë e majme paradhënie përpara se të firmosej marrëveshja. Kështu u mendua të bëhej edhe në verën e vitit të kaluar, kur fillimisht administratori Idrizi siguroi marrëveshjen me trajnerin Ilir Daja e më pas afroi disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit.

Emra si: Tomislav Bushiç, Danilo Alvesh, Idriz Batha, Albi Alla, Goran Siljanovski, Muhamed Useini dhe Emiljano Musta mund të quhen ndoshta më fatlumët, pasi në krahasim me shokët e tyre, mësohet se kanë marrë “kesh” para fillimit të sezonit 30 % të kontratës.

Edhe për këtë pjesë ka pretendime nga lojtarët, pasi ata që kanë qenë pjesë e ekipit në sezonin 2017- 2018, mësohet se nuk kishin marrë muajin prill dhe maj. Megjithatë, askush nuk e mendonte se me muaj të tërë nuk do të shijonin qoftë edhe një rrogë, por vetëm një shpërblim modest në fund të dhjetorit për të kaluar të qetë festat.

KONTRATAT NË VLORË

Por si janë bërë kontratat në Vlorë në vitin ndoshta më të zi në historinë e Flamurtarit? “Panorama Sport”, nga burime të sigurta pranë klubit, ka arritur të mësojë në detaje se çfarë shifrash reale kanë kontratat e lojtarëve dhe stafit teknik, duke filluar nga pjesa e parë e sezonit e në vazhdim, në një kohë që pas muajit janar u larguan shumë lojtarë.

Rrogat mujore

Trajneri Ilir Daja ka firmosur për një pagë neto prej 5 mijë eurosh në muaj. Mësohet se në marrëveshjet që janë bërë, klubi njeh zyrtarisht 11 paga në sezon, pra, nga muaji korrik i vitit 2018 deri në maj të vitit 2019. Vetëm për muajin qershor, klubi nuk paguan për lojtarët dhe stafin.

Por kush ishin më të paguarit në Vlorë? Drejtuesit kanë menduar të vendosin njëfarë balancë mes lojtarëve. Vetëm katër prej tyre bënin diferencën dhe ishin të gjithë të huaj. Emra si Bushiç, Kale, Torasa dhe Alvesh kishin një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj. Më pas, lista vazhdonte me Koliçin dhe Bathën që merrnin nga 4500 euro, Allën dhe rumunin Sirghi, me 4 mijë euro, si dhe Siljanovskin e Mustën, me nga 3500 euro.

Në janar, Alla, Sirghi dhe Siljanovski nuk e duruan situatën dhe prishën kontratën. Vetëm fondi për pagat në muaj shkonte rreth 74 mijë euro, ndërsa në total për rrogat e lojtarëve dhe stafit, klubi shpenzon 814 mijë euro në sezon.