Një doktor italian ka dhënë dorëheqjen pasi është kapur gjysmë i zhveshur në një dhomë hoteli me një “paciente” femër, të cilës i kishte thënë se sëmundjen e saj do ta shëronte duke kryer marrëdhënie me të.
Dr. Giovanni Miniello, një gjinekolog 60-vjeçar në Bari, u zbulua nga emisioni investigativ “Le Iene”.
Vajzës që iu prezantua si paciente, ky doktor i tha se kishte një virus që transmetohej seksualisht dhe që mund ta çonte deri në kancer. Ai i tha edhe se mund t’i jepte imunitet ndaj virusit duke kryer marrëdhënie seksuale me të.
Kur “pacientja” pranoi, por i kërkoi që doktori të kryente marrëdhënie seksuale të mbrojtur, gjinekologu i shpjegoi se me prezervativ nuk do të merrte antitrupat që i duheshin.
Në këtë moment, gazetarja e emisionit hyn në dhomë duke e kapur në flagrancë. Mbrojtja e doktorit ishte kjo: “Këtë po e bëj për qëllime studimore dhe për njerëzit që kam shpëtuar deri më sot”.
Ndërsa, një ditë më pas, nëpërmjet avokatit të tij, doktori tha: “Unë, i cili kam trajtuar me sukses qindra femra përgjatë 40 viteve karrierë, thjesht propozova një kurë alternative që ka dhënë rezultate. Kurrë në jetën time nuk kam detyruar një femër që të bëjë seks me mua”.
Prokuroria e Barit ka nisur hetimin ndaj mjekut./A2CNN