Presidenti i Federatës së Futbollit në Itali, Gabriele Gravina dëshiron të ecë përpara me Roberto Mancinin si trajner dhe ai ka propozuar një projekt të përbashkët.
Trajneri italian vuri në dukje se ai po punonte për të ardhmen në “Instagram” pas humbjes katastrofike 1-0 të “Azzurrëve” ndaj Maqedonisë së Veriut në fillim të kësaj jave. Italia tani do të mungojë në Kupën e Botës për herë të dytë radhazi, duke thyer sërish zemrat e tifozëve.
Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, Gravina dëshiron që Mancini të qëndrojë si trajner i Italisë dhe ai i ka paraqitur një projekt të përbashkët 57-vjeçarit në mënyrë që ta bindë atë të mos japë dorëheqjen, përcjellë KosovaPress.
Gjithçka nis nga një analizë e tetë muajve të fundit e ndjekur nga zgjidhjet e nevojshme për të ndërtuar një projekt për të ardhmen. Italia po shikon përpara për Kupën e Botës të Amerikës së Veriut në vitin 2026, ku Gravina do të donte që Mancini të drejtonte ekipin. Në ditët në vijim do të ketë takime të tjera mes dyshes, veçanërisht pas miqësores kundër Turqisë të martën.
Ka të ngjarë që një skuadër e re e Italisë të shihet në qershor, kur “Azzurrët” do të përballen me Argjentinën, Anglinë, Hungarinë dhe Gjermaninë dhe ku trajneri italian do të jetë në gjendje të provojë gjëra të reja.
Mancini ka ende nevojë për kohë për të reflektuar dhe për të marrë vendimet e tij në lidhje me të ardhmen e tij, por federata raportohet se nuk dëshiron ta largojë atë.