Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë apo jo të votës së deputetit Etem Arifi në drejtim të Qeverisë Hoti dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje, në publik ka edhe një dilemë tjetër.
A do të mund të jetë Albin Kurti kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje apo jo?
Përparim Kryeziu nga Vetëvendosje ka deklaruar se këta të fundit i janë drejtuar Kushtetueses me një rast dhe çështje specifike, ku edhe konfirmuar pretendimi i tyre, duke shtuar se Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit, transmeton lajmi.net.
Për më tepër ai tha se ata nuk janë të dënuar me burgim dhe se në këtë aktgjykim nuk ka ndalesë për të qenë pjesë e listës dhe garës zgjedhore.
Postimi i plotë:
Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z.Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë. Ajo e ka konfirmuar pretendimin tonë, duke thënë se z.Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme. Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore.
Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër.