Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga Zvicra që t’i godas oligarkët rusë, të cilët kanë deklaruar se po ndihmojnë Rusinë në luftën kundër shtetit të tij, siç ka thënë ai, nga siguria “e qyteteve të bukura të Zvicrës”.
Në një audiomesazh për mijëra protestues që kishin mbushur rrugët e Bernës, Zelensky falënderoi Zvicrën për mbështetjen e saj që prej nisjes së pushtimit rus, por foli qartë për sektorin bankar zviceran.
“Njerëzit që nisën këtë luftë i mbajnë paratë në bankat tuaja. Kjo është e dhimbshme. Ngrirja e llogarive të tyre është edhe luftë kundër të keqes”, tha ai. “Ukrainasve po u shkatërrohen qytetet, me urdhër të personave që jetojnë në qytete të bukura europiane dhe zvicerane dhe gëzojnë mbrojtjen e qyteteve tuaja. Do të ishte vërtet mirë nëse ua hiqni këtë privilegj”, ka thënë Zelenski.
Edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Europian, Zvicra ka miratuar të njëjtat sanksione si vendet e unionit kundër individëve dhe organizatave ruse, përfshi edhe ngrirjen e pasurive të tyre në bankat zvicerane.