Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy, ka kërkuar të martën më shumë sanksione dhe presion kundër Rusisë, derisa lufta po vazhdon ta shkatërrojë Ukrainën.
Gjatë një adresimi para ligjvënësve italianë, Zelenskyy ka thënë se shumica e atyre që po e drejtojnë luftën ruse në Ukrainë dhe po e promovojnë atë, e shfrytëzojnë Italinë si vend për pushime. Ai ka kërkuar nga ky shtet që të mos pranojë të bëhet resort pushimesh për ta.
“Kemi nevojë për më shumë sanksione, më shumë presion ashtu që Rusia të mos kërkojnë rezerva apo mercenarë në Libi, por që Rusia të kërkojë paqe”, ka thënë Zelenskyy.
“Ju e dini se kush e solli luftën në Ukrainë, ju i njihni ata shumë mirë. Ju e dini se kush urdhëron luftën dhe kush e promovon atë. Pothuajse të gjithë përdorin Italinë si vendpushim. Prandaj mos u bëni resort për ta. Bllokoni pronat e tyre, sekuestroni llogaritë e tyre, jahtet e tyre nga Scheherazade deri te ato më të voglat”, u ka thënë Zelenskky deputetëve italianë.
Zelenskyy ka kërkuar vazhdimisht sanksione shtesë kundër Rusisë. E nga NATO-ja ka kërkuar të caktojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, gjë që është refuzuar nga ana e aleancës veri-atlantike për shkak të rrezikut të përfshirjes së saj në luftë.