Disa projektligje nuk kanë kaluar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të mungesës së disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, këto projektligje nuk arritën të kalojnë.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, me ironi ka komentuar hyrjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në sallë, duke thënë se tash voton kryeministri Kurti për këto projektligje.
“Erdh Albini, erdh kryeministri tash voton”, u dëgjua duke thënë Zemaj.
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca e ka kritikuar pozitën në Kuvend, për shkak se thanë që i kanë numrat për të kaluar projektligjet që janë sot në rend dite, por në votim munguan 61 vota.
Pasi arritën në kuvend edhe deputetët e tjerë të VV-së, u miratuan disa Projektligje:
Me 61 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër është miratuar në parim Projektligjit nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-197 për kimikate.
Po ashtu, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në Kuvend ka kaluar në parim edhe Projektligji nr.08/L-120 për Ushqim.
Me po këtë rezultat është votuar në parim Projektligji nr.08/L-112 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-26 për tokën bujqësore.