Fjalë Kyçe

Zemaj: Çdo dyshim për viktimat të sqarohet, por të flasin ekspertët jo politika

Zemaj: Çdo dyshim për viktimat të sqarohet, por të flasin ekspertët jo politika

Përballë pretendimeve se disa nga dhjetëra viktimat që u raportuan në fundjavë vdiqën nga mos-furnizimi i mjaftueshëm me oksigjen, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, kërkon që të mos krijohet konfuzion, pasi siç u shpreh ai mjekët kanë bërë me përgjegjësi punën e tyre.

Zemaj tha se dyshimet duhet të sqarohen, por që situata nuk duhet të përdoret politikisht.

“Raportet paraprake tregojnë se mjekët e kanë bërë punën me nder dhe përgjegjësi ndërsa për çështjet teknike t’ia lëmë ekspertëve, çdo dyshim duhet të sqarohet dhe të mos krijojmë konfuzion pasi me rritjen e të infektuarve bilanci i keq me vdekjet fatkeqësisht mbase po përdoret dhe për luftë politike,” – u shpreh ministri teksa tregoi se gjendja është e njëjtë si në javët e shkuara.

Ministri i Shëndetësisë tha se kapacitetet vëzhguese janë shtuar me rreth 200 profesionistë shëndetësor shtesë dhe e konsideroi situatën “nën kontroll”.

“Unë e kam autorizuar stafin që të decentralizoi shërbimin dhe të mos ngarkohet Prishtina, por njerëz që trajtojnë të sëmurët e COVID-19 të ketë dhe në rajone,” – tha Zemaj duke shtuar se situata e trashëguar e problemeve në sistemin e shëndetësisë e ka bërë më të dukshëm këtë problematikë nën pandemi.

Rastet në rritje të viktimave shtynë qeverinë e Avdullah Hotit të vendoste sërish masa kufizuese.

Në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtri, nga ora 21:00 deri në orën 05:00 do të kufizohet lëvizja, ndërsa në qytetet e tjera do të ndalohen rreptësisht shërbimet dhe aktivitetet në mjedise të mbyllura.

I pyetur nëse është menduar mbyllja e kufirit me Shqipërinë, Zemaj iu shmang përgjigjes direkte, por tha se shqyrtimin e mbylljes së kufirit nuk ka qenë pjesë e vendimeve të fundit.

Zemaj tregoi se mbetet në komunikim me homologët e tij në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut dhe tha se Prishtina zyrtare e sheh me vëmendje situatën që zhvillohet në këto vende dhe do të shqyrtojë në vazhdimësi çdo vendim të mundshëm.

Vetëm në dy ditët e fundjavës 10 mijë qytetarë të Kosovës kaluan kufirin, ndërsa 17 pacientë me COVID-19 humbën jetën.

Prej muajit mars, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë kryer rreth 25 mijë teste, nga ku janë diagnostikuar diçka më shumë se 3,500 të infektuar.

Nga totali i të infektuarve rreth 1,900 jan ë sh eruar, 1,500 mbeten mbart ës teksa 75 kanë vdekur. Në raport me popullsinë, në Kosovë tashmë regjistrohen 42 vdekje me COVID-19 për çdo 1 milionë banorë.